
Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi se “e vërteta e madhe është që s’ka pasur kurrë qoftë dhe një propozim të vetëm zyrtar nga partia e Lulzim Bashës për mandate, për numra mandatesh e gjëra të kësaj natyre”, duke hedhur poshtë deklaratën e një dite më parë të Gazment Bardhit, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.
“Anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike janë aty, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë aty, le të thonë a kanë parë ndonjë propozim të tillë? E nëse ka një propozim të tillë zyrtar, këtë dokument le t'ia vënë në dispozicion mediave shqiptare që ta njohin, por një dokument i tillë nuk ekziston dhe faqja e zezë për ata që mashtrojnë pasi kanë shitur interesat e opozitës ditën për diell”, deklaroi Vasili.
Më parë, Bardhi deklaroi: “Qëndrimi konstant, por edhe publik i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë që do të duhet të dilnim në dy lista të veçanta, pavarësisht qëndrimit tonë se aksioni opozitar apo vullneti opozitar të maksimalizohej, nëse do të përfshiheshim në një listë, qëndrimi krejt normal i Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas vlerësimeve të tyre ishte që ata do të maksimalizonin votën duke hyrë në dy lista të veçanta. Besoj i kujtoni deklaratat publike të zonjës Kryemadhi që me ndryshimet e njëanshme të kodit dhe të Kushtetutës nga Edi Rama përfitonte Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse nga 19 mandate që kishte marrë në 2017 do të arrinte të merrte, nëse s’gaboj, ka thënë më shumë se 40 mandate me ndryshimet e njëanshme që kishte bërë Edi Rama në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. (A2 Televizion)