
Departamenti amerikan i Shtetit tha se interesat e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor janë të qëndrueshme dhe strategjia e tyre ndaj këtyre vendeve në thelb mbetet e pandryshuar.
Matthew Palmer, zv.ndihmës Sekretar i Shtetit dhe Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se nën administratën e re Biden mund të pritet një vazhdim i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm me SHBA.
“Ajo që ne do të dëshironim është që vendet eBallkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet evropiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin”, u shpreh ai.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA do të inkurajojnë qeverinë e re, që t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe punën e Miroslav Lajcakut, si Përfaqësues i Posaçëm për Bashkimin Evropian.”
Ai tha se hapat pozitive në një drejtim të caktuar në Ballkanin Perëndimor sjellin pasoja pozitive diku tjetër në rajon. (A2 Televizion)