
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në panelin e Kryeministrave në Samitin e BERZH mbi investimet 2020, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Ballkanin Perëndimor.
Rama theksoi se deri në 2014-ën, liderët e rajonit as mund të uleshin në tavolinë, ndërsa tashmë situata ka ndryshuar dhe paqja duhet të shndërrohet në begati.
“Duhet të them se nga njëra anë, procesi i Berlinit i nisur nga Merkel, në të njëjtën vit që BERZH mori këtë nismë, ka qenë ngushëllimi ynë, pasi në procesin e integrimit Europian, jemi përballur me beteja dhe zhgënjime.
Do të doja të falënderoja ata që morën pjesë në konferencën e donatorëve. Miqtë tanë nga rajoni, të gjitha ato vende, kanë dhënë një shembull të shkëlqyer solidariteti, të asaj çka është fryma e unionit. Mos harroni se deri në 2014-ën, ne nuk ishim ulur kurrë në një tavolinë së bashku, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen. Kjo është e jashtëzakonshme. Tani duhet të ecim përpara. Ta shndërrojmë paqen në një instrument begatie nuk është e lehtë. Kemi probleme, mosmarrëveshje. Ende ka probleme të mëdha që duhet të zgjidhen, por ne po punojmë së bashku dhe duam së bashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)