Një video e publikuar në rrjetet sociale të enjten tregon se si grupe të ndryshme zhvilluan një luftë të vërtetë në rrugët e Nju Jorkut, duke qëlluar njëri-tjetrin me fishekzjarrë.
Sipas Policisë, dy persona kanë mbetur të plagosur në incidente të ndryshme, në Bronks dhe Bruklin, të dy në gjendje kritike për jetën. Vetëm në dy javët e para të muajit qershor, Policia raporton se ka pasur më shumë se 1700 ankesa për incidente me fishekzjarrë, vetëm të dielën e fundit 455.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, mjete të Policisë shihen teksa kalojnë përmes fishekzjarrëve. Zakonisht me afrimin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë në SHBA, incidentet qe lidhen me fishekzjarrët shënojnë rritje, por në këtë kohë të trazuar, ato po përdoren si armë mes bandave rivale. (A2 Televizion)