Një 22-vjeçar, i dyshuar se kishte grabitur një burrë në një “strip-club” në Sal Lake City, u qëllua për vdekje nga efektivët e Policisë që po e ndiqnin, me të paktën 20 plumba, pasi ai nuk pranoi të ndalonte.
Ngjarja tragjike ndodhi më 23 maj, por vetëm se fundmi, policia publikoi pamjet e marra nga kamera që mbante në trup një efektiv. Sipas Policisë, pranë trupit të Bernardo Palacios-Carbajal u gjet edhe një armë zjarri, por nga pamjet në video nuk duket që viktima t’i drejtojë ndonjë armë policëve. Kryetarja e Bashkisë, Erin Mendenhall, e quajti videon tepër shqetësuese dhe tha se priste që të niste një hetim transparent për atë që kishte ndodhur.
Që prej protestave të nisura pas vdekjes së George Floyd disa raste të tjera që vënë në dyshim sjelljen e Policisë amerikane janë publikuar në media, duke rritur pakënaqësinë ndaj forcave të rendit. (A2 Televizion)