Raporti i KLSH, parregullsi të shumta me inceneratorin e Tiranës

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 15:05 | Aktualitet

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjen problematika të shumta me inceneratorin e Tiranës. Një raport paraprak auditimi i KLSH-së vlerëson se ky koncesion ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të projektit, kostot nuk janë përllogaritur saktë dhe nuk janë identifikuar qartë risqet, si dhe ka keqorientim të politikave për reduktimin e mbetjeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se projekti është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit dhe jashtë tavaneve buxhetore. Që prej vitit 2018, Bashkisë së Tiranës i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Bashkia Tiranë ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë shtesë, krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh.

Në raport theksohet se që prej vitit 2018 është paguar tarifa 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qenë se inceneratori ende nuk ka përfunduar.

“Aktualisht, çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri më sot”

Raporti i KLSH

Më tej, raporti thekson se procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore.

“Janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në afatin e fillimit dhe vijimit të punimeve të projektit, si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve, si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara në kontratë si nga Autoriteti Kontraktues, ashtu edhe nga Koncesionari”.

Raporti i KLSH

Raporti konstaton gjithashtu, se në studimin e fizibilitetit parashikohet që pagesa totale për një kohëzgjatje të projektit prej 30 vjetësh, të mbulohet përkatësisht nga: Qeveria Shqiptare në masën 130,8 milionë euro pa TVSH. Nga buxheti i bashkive në masën 91,7 milionë euro pa TVSH, për të cilat nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar në lidhje me marrjen përsipër të këtij angazhimi buxhetor.

Që prej vitit 2017, landfilli i Sharrës menaxhohet nga një shoqëri private, përfituese e koncesionit me propozim të pakërkuar “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese”. Deri më tani, në kuadër të këtij investimi është realizuar rehabilitimi i impiantit ekzistues, ndërsa sipas grafikut të punimeve ndërtimi i impiantit të incenerimit të mbetjeve është ende në proces. Ky është inceneratori i tretë i ndërtuar në vendin tonë, krahas atij të Elbasanit dhe të Fierit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/komisioni-hetimor-i-inceneratoreve-ps-pd-zhvendosin-debatin-ne-impiantin-e-elbasanit/
https://a2news.com/video/komisioni-hetimor-parlamentar-inspektim-me-debate-ne-inceneratorin-e-fierit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos