
Në një kohë që afatet e vetingut në drejtësi do të zgjaten deri në dhjetor të vitit 2024, deri më tani 500 gjyqtarë e prokurorë kanë dalë në shkallën e parë të vetingut. Më shumë se gjysma e tyre janë dorëhequr ose shkarkuar, ndërsa në proces ka dhe rreth 300 të tjerë. Nga vetimi i sistemit të drejtësisë, rezulton se 185 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar nga detyra.
Një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dolën nga sistemi pasi dhanë dorëheqjen. Në total janë 76, mes të cilëve 57 gjyqtarë dhe 19 prokurorë.
Nga totali prej 500 gjyqtarësh e prokurorësh, vetëm 195 kanë kaluar filtrat e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Mes tyre, janë 113 gjyqtarë dhe 82 prokurorë.
Procesi i vetingut në drejtësi, nisi në vitin 2016 pas miratimeve të reformës në drejtësi në parlament. Në total, përllogariteshin 800 gjyqtarë e prokurorë në sistem, ndërsa kanë mbetur dhe 300 të tjerë edhe pse zgjatja e afateve parashikon tre vite të tjera. (A2 Televizion)