
Për të 20-ën ditë radhazi, banorët e zonës së “Astirit” dolën sërish në protestë. Edhe kjo e premte, rrugën e “Unazës së Re” e gjeti të bllokuar nga qindra banorë, duke shkaktuar trafik.
Ajo çka bënte ndryshimin nga 20 ditët e protestave, ishin forcat e policisë, këtë pasdite më të pakta në numër. Ndoshta për shkak të asaj që ndodhi të enjten përpara parlamentit apo ndoshta për të mos tensionuar edhe një herë situatën mes banorëve, efektivët e policisë kishin zgjedhur të mos krijonin kordonin përpara banorëve dhe pas tyre nuk ishin as Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Protesta nisi në orën 17:00, atëherë kur pranë tyre mbërriti kryedemokrati Basha. Ashtu si gjatë konferencës së mesditës për shtyp, Basha akuzoi kryeministrin Rama, se ka shkelur çdo ligj prokurimi e legalizimi dhe këtë po e bën me qëllimin e vetëm për të vjedhur 40 mln euro.

Edhe pse disa prej tyre janë arrestuar pas protestës së të enjtes, banorët e zonës së “Astirit” mbetën të vendosur. Do të dalin çdo ditë në protestë, me shpresën se qeveria do të kthehet nga vendimi për të shembur shtëpitë e tyre, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. (A2 Televizion)