
Prej më shumë se 20 ditësh dalin e protestojnë për shtëpitë e tyre. Do ta bëjnë dhe këtë pasdite, ashtu si shumë të tjera në vazhdim. Por si është jeta e familjeve të shënjuara nga kryqi i kuq, i kthyer që prej këtij nëntori në tmerrin e tyre?
Fiqerete Nuro thotë se askush nuk e sqaroi kur i vendosën kryqin, simbolikën e së cilit e morën vesh vetëm më pas. “Na prunë këtë kryqin e kuq dhe më pas u interesuam dhe e morëm vesh se shtëpia do të na prishej”, thotë zonja Nuro për A2.
Në banesën e zonjës Fiqerete Nuro, jetojnë 4 familje, janë krijuar biznese të cilat zotërojnë NIPT, si dhe janë paguar mbi 300 mije lekë për legalizimin, kësti i fundit në 2017-n. “Taksë pasurie 30 000 lekë kam paguar vetëm për ndërtesën që është e ndarë sipas kateve”, thotë Floreta Nuro. “Kam paguar edhe faturat e legalizimit që në total shkojnë 320 000 lekë”.

Por nuk janë vetëm të shënjuarit që jetojnë me frikë. E gjithë zona e Unazës së Re, ndodhet në gjendje alarmi. “Kemi shkuar me qindra herë të ALUIZNI dhe kemi marrë të njëjtën përgjigje, ‘hajde pas dy javësh’. Mos legalizimi na shqetëson sepse më duket se jam edhe unë pjesë e të tjerëve”, thotë një banore.
Sipas të dhënave të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 317 objekte do të prishen, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen, 123 janë me vërtetime pronësie, ndërsa për të tjerat nuk ka asnjë lloj informacioni. (A2 Televizion)
