
Enriko studion prej tre vitesh në fakultetin e shkencave sociale, në degën e Filozofisë. Ai thotë se tarifa që paguan për shkollën ia bën shumë të vështirë përballimin e jetës si student.
Vështirësitë ekonomike e kanë detyruar atë dhe shumë të tjerë si ai që të dalin serish në protestën e radhës për uljen e tarifave vjetore të studimit.

“Jeta në Tiranë është bërë gjithmonë e më e vështirë, studentët çdo 3 muaj detyrohen të marrin borxhe, ky është tashmë realiteti që përjeton çdo student”, thotë një nga organizatorët e protestës, Enriko Peçuli, student në filozofi.
Taulant Muka deri një javë më parë ishte zv. ministër i Arsimit, detyrë nga e cila dha dorëheqjen për shkak të gjendjes së institucionit dhe arsimit në Shqipëri. Taulanti u be pjesë e protestës së studenteve si një qytetar i thjeshtë.

Sipas tij, tarifat aktuale të fakulteteve në Shqipëri e bëjnë shumë të vështirë arsimimin për të rinjtë dhe protestat e tyre i quan më se legjitime.
“Është e vërtetë që tarifat universitare në Shqipëri janë shumë të larta, dhe për atë që paguhet nuk merret shërbimi që nevojitet. Studentët me shumë të drejtë sot ngrenë zërin e tyre”, thotë Muka.

Enrikos dhe Taulantit iu bashkuan qindra studentë të cilët e përfunduan protestën e tyre përpara kryeministrisë duke kundërshtuar tarifat e sistemit bachelor në fakultet. Në varësi të degës një student paguan këtë vit akademik 20500 deri në 45000 lekë. (A2 Televizion)