
Është tensionuar së tepërmi situata para godinës së Parlamentit, ku protestuesit nga zona e “Astirit” janë përleshur me policinë në përpjekje për t’u futur brenda. Banorët e zonës që preken nga projekti i Unazës së Madhe ishin mbledhur para godinës së Kuvendit pikërisht në kohën kur brenda sallës Kryeministri Edi Rama po i kërkonte atyre që të lironin banesat të ndërtuara pa leje pasi nuk do të shpronësoheshin dhe nuk do të kompensoheshin.

Protestuesit hodhën edhe kapsolla dhe tymuese në drejtim të forcave të rendit, ndërkohë që pati edhe përleshje fizike. Një pjesë e tyre kishin marrë me vete edhe fëmijët, madje duke i vendosur në rreshtin e parë të protestës.
Atyre iu janë bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë shprehur edhe më parë mbështetje për problemin e tyre.
Kryeministri kishte shqyrtuar një për një dosjet e legalizimit të banorëve që protestojnë për prishjen e shtëpive të tyre. Sipas Ramës - i cili i quajti ata zaptues – ata kanë shtëpi në proces legalizimi ose të legalizuara. Ai konfirmoi që nuk do të ketë dëmshpërblim për këta.
Rama gjithashtu hodhi poshtë akuzat e LSI për parregullsitë në tenderin për realizimin e projektit në fjalë, duke konfirmuar se ai ishte plotësisht i rregullt dhe se arsyet që i motivonin ata ishin politike.
Rama u largua nga Kuvendi menjëherë pas mbarimit të fjalimit, ndërsa protestuesit bënë edhe një përpjekje të dytë për të çarë rrethimin e policisë për të hyrë brenda godinës. Gjatë kësaj përpjekje pati edhe disa oficerë policie të lënduar, ndërsa një prej përfaqësuesve të forcave të rendit iu bëri thirrje protestuesve që të distancoheshin nga dhuna. (A2 Televizion)