
Studentët nuk ndalen në kërkesat e tyre dhe sot, në ditën e 11 të protestës, ata u mblodhën sërish për të protestuar përballë godinës së Kryeministrisë.
Mësohet se protestës së studentëve ditën e sotme iu bashkuan edhe banorët e “Astirit”, të cilët pak ditë më parë u refuzuan t’i bashkohen protestës së studentëve me pretendimin se ata kishin të tjera kërkesa.
“Edhe Unaza ka studentë”, ishin thirrjet me të cilat banorët e “Astirit” iu bënë pjesë e protestës së studentëve.
Ditën e sotme ka edhe një prani të shtuar të forcave të policisë të vendosura rreth godinës së Kryeministrisë.
Ndërsa për t’u theksuar është edhe se gjatë orëve të natës pati edhe tensione mes studentëve dhe forcave të policisë, të cilat i sekuestruan studentëve ngrohëset e gazit me pretendimin se janë të rrezikshme. (A2 Televizion)