Bardhi: Sulmi i Berishës ndaj SHBA, solidarizim me Dakon dhe Doshin

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2022, 17:43 | Politikë
Bardhi: Sulmi i Berishës ndaj SHBA, solidarizim me Dakon dhe Doshin

“Dy nga 3 palët në zgjedhjet e 6 marsit, PS dhe “Shtëpia e Ilirit” kanë mbrapa njerëz të shpallur non grata nga SHBA për korrupsion”.  Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, sipas të cilit Dako dhe Doshi  drejtojnë fushatën në Durrës dhe Shkodër, kurse “Berisha është shefi politik i 6 kandidatëve të tjerë të Shtëpisë së Ilir Metës”.

“Vangjush Dako është shefi politik dhe drejtuesi i fushatës së kandidates së PS në Durrës. Tom Doshi, është shefi politik dhe drejtues i fushatës së kandidates së PS në Shkodër. Sali Berisha është shefi politik i 6 kandidatëve të tjerë të Shtëpisë së Ilir Metës”.

Sipas Bardhit “sulmi i sotëm ndaj SHBA është solidarizim me non gratat e Edi Ramës. Hall i përbashkët, sjellje e përbashkët!”

Reagimi i sekretarit të PD-së erdhi pasi Komisioni i Rithemelimit të PD reagoi ndaj deklaratës së ambasadores së SHBA-së, duke e cilësuar tendencioze ndërhyrjen e saj.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim pyeti në mënyrë retorike kandidatët për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki se si mund të marrin pjesë në një fushatë ku si mbështetës kanë persona të shpallur “non grata” në SHBA, si të korruptuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos