
Kandidatët për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki u pyetën në mënyrë retorike nga ambasadorja amerikane Yuri Kim se si mund të marrin pjesë në një fushatë ku si mbështetës kanë persona të shpallur “non grata” në SHBA, si të korruptuar.
''Nëse sponsorizuesi kryesor i juaj është dikush i shpallur “non grata” për korrupsion domethënës, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do të jenë pronarët tuaj nëse fitoni dhe çfarë detyrimi do të keni kundrejt tyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, ishin fjalët e ambasadores.
Yuri Kim sjell në vëmendje se SHBA ka përcaktuar 4 persona publikisht për korrupsion madhor minues të demokracisë, tre prej të cilëve politikane: Sali Berisha, Vangjush Dako dhe Tom Doshi. Por adresimi i ambasadores duket direkt për 6 kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, pasi zyrtarisht dhe publikisht në fushatë me këta kandidatë është Sali Berisha.
Për këtë, Komisioni i Rithemelimit të PD reagoi duke e cilësuar tendencioze ndërhyrjen e saj.
“Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni i konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europës”, thuhet në deklaratën e Komisionit të Rithemelimit. Ata kërkuan nga Kim tërheqjen e kësaj deklarate, për të cilën thekson se bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. (A2 Televizion)