
Lideri i PD-së Lulzim Basha dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi vizituan sot në mbrëmje zonën e Kombinatit, në kryeqytet. Ku takuan në veçanti personat e dëmtuara nga tërmeti.
Basha theksoi se "pjesë e ndryshimit në programin tonë, është dhe rindërtimi me shpejtësi. Përfundimin në kohën më të shkurtër të mundshme i këtij procesi jetik. Për ne rindërtimi do të kalojë në 3 faza. Vlerësimi i çdo ankese me transparencë, vlerësim real i dëmit, kompensim dhe rindërtim pa asnjë pengesë dhe duke eliminuar të gjitha procedurat burokratike dhe korruptive të këtyre kohëve".
Basha komentoi sërish ofertën për bashkëpunim të kryeministrit Rama duke thënë se “edhe Edi Rama e ka kuptuar që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat”.
Nga ana e saj, Monika Kryemadhi theksoi se “jemi të dy bashkë edhe pse kemi 2 vjet që nuk ndahemi asnjë moment, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve, këtu fillon shtëpia juaj, sepse fronti opozitarë, që nuk është më front opozitarë po është fronti shqiptarë, mendon për shqiptarët, mendon për shtëpitë tuaja”. (A2 Televizion)