
Kreu i PD-së, Lulzim Basha reagoi nga selia e partisë pas akuzave të ashpra që ish-kryeministri Sali Berisha hodhi ndaj tij nga Fieri, duke e quajtur një peng të Ramës.
Basha reagoi dhe për thirrjet për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD apo referendumit për çështjen Berisha.
Ai u shpreh se nuk do të ketë asnjë Kuvend të partisë për të shqyrtuar vendimet e qeverisë amerikane.
“Për 8 vite Rama më ka akuzuar për kukull të Berishës. Dje Berisha më akuzoi si peng të Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodh kurrë. PD po ecën para, do t’i prijë betejës për ndryshim që vjen pas largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë. Ky është misioni i PD dhe misioni i çdo demokrati dhe do t’i qëndroj deri në fund, deri në arritjen e objektivave. Kuvende të partisë për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të pasur”, deklaroi Basha para mediave. (A2 Televizion)