Shtyhet përballja Duma-Veliaj në Gjykatë

Nga A2 CNN
22 Shtator 2021, 10:35 | Politikë
Shtyhet përballja Duma-Veliaj në Gjykatë

Gjykata e Posaçme shtyn seancën e radhës të përballjes së deputetes Grida Duma me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në seancë, ku do të pyeteshin palët nëse do të zgjidhnin çështjen me pajtim ishte e pranishme Duma, por jo Veliaj.

Jashtë sallës, Duma pohoi se i qëndron padisë së ngritur kundër kryebashkiakut dhe se nuk pranon pajtim.

Padia për “shpifje”, e bërë nga deputetja e Partisë Demokratike, ka lidhje me deklaratat e Veliajt, i cili e ka cilësuar deputeten si trafikante apartamentesh dhe të dënuar për “mashtrim”. Këto deklarata, kryetari i Bashkisë Tiranë i ka bërë pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike ndaj tij për lidhje me mafien italiane.

“Në reagimin e tij mbas deklaratës zyrtare të Partisë Demokratike, i akuzuari Erion Veliaj nuk paraqiti asnjë argument për të vërtetuar të kundërtën e deklarimeve të personave të përgjuar nga Antimafia Italiane, të cilët e implikojnë atë drejtpërsëdrejti, por zgjodhi të sulmojë në mënyrën më të ulët znj. Grida Duma duke hedhur akuza të pabaza dhe totalisht të pavërteta”, thuhet ndër të tjera në padi.

Më tej, theksohet se Veliaj e ka quajtur Grida Dumën “trafikante apartamentesh”. “E vetmja gjë e paverifikuar për ne mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes”, ka thënë në atë kohë Veliaj, sipas padisë së Dumës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos