
Kundërshtarëve të tij që kërkojnë reformim të partisë dhe ndryshim të statutit, Lulzim Basha u rikujtoi nga Lezha se e ka bërë atë në vitin 2018. Për të, 13 qershori lidhet me tjetër betejë.
“13 qershori nuk është, nuk bëhet për ndryshime eventuale të statutit apo përparime dhe ndreqje eventuale të organizimit, jo se ato nuk duhen, patjetër që duhen. 13 qershori ka të bëjë me diçka tjetër shumë më të madhe se kjo. Është hapi i parë në betejën që rinisim, ndaj dhe kërkesa ime e parë dhe kryesore është le të dalim nga 13 qershori edhe më të bashkuar, edhe më të vendosur”, tha Basha.
E vetmja kërkesë që kishte për demokratët në 13 qershor ishte të dilnin më të bashkuar kundër Edi Ramës: “Le ta bëjmë garën, le ta bëjmë debatin. Le t’i themi ato që janë për t’u thënë sy më sy, pa asnjë drojë, por në fund të çdo takimi që mund të keni, mos të harrojmë se pas 13 qershorit duhet të dalim më të fortë e më të bashkuar, e mos të harrojmë që çdo sekondë beteja jonë e vetme është beteja me Edi Ramën, kundër tij, kundër regjimit të tij, armik të Shqipërisë, armik të demokracisë”.
Basha nënvizoi se pavarësisht masakrës së 25 Prillit, demokratët janë në këmbë për të luftuar me më shumë forcë. (A2 Televizion)