
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, reagoi pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, i cili rrëzoi kërkesën e opozitës për rezultatin e zgjedhjeve në Korçë.
Sipas Spahos, KAS në shkelje të ligjit mbylli sytë para së vërtetës, por transparenca e këtyre zgjedhjeve nuk mund të ndalohet për të mbrojtur pushtetin e vjedhur.
“Në Korçë, qytetarët panë masakrën zgjedhore shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve. Panë se si çdo institucion shtetëror u vendos në shërbim të Partisë Socialiste. Njerëzit panë se si u punësuan qindra njerëz gjatë fushatës, u dhanë qindra leje legalizimi, u shpërndanë tendera për të blerë votat, u blenë votat me para në dorë.
Këto fakte janë kallëzuar të gjitha në SPAK, por asnjë nga provat për blerjen e votës nuk u morën parasysh.
Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi.
Në shkelje të ligjit, KAS refuzoi të marrë zyrtarisht provat për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën për votën e lirë. 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste në KAS po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera”, tha mes të tjerash Spaho. (A2 Televizion)