
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, reagoi ndaj Edi Ramës, duke thënë se ai vijon të gënjejë, duke ofruar vetëm premtime boshe.
“Ai gënjen kur flet për ndihmë ekonomike. Fakti është se Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Kosto e jetesës rritet dita-ditës, papunësia shtohet përditë, bizneset dhe dyqanet mbyllen dhe familjet shqiptare nuk marrin ndihmë nga qeveria. Por, këto fakte nuk e pengojnë Ramën të gënjejë dhe të thotë se çdo gjë është në rregull”.
Kupa është mbushur, tha Basha më tej, ndërsa theksoi se Rama mund të ofrojë vetëm dështime të tjera në të ardhmen.
“Pas 7 vitesh dështime, Rama mund të ofrojë vetëm dështime të tjera më të mëdha. Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Shqipëria ka nevojë për shpresë të re. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për popullin, jo një qeveri që kujdeset për veten. Ky vit i keq do të kalojë dhe ne së bashku do t'i kthejmë shpresën Shqipërisë”, tha Basha. (A2 Televizion)