
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me strukturat elektorale të qytetit të Korçës, gjatë të cilit u diskutua për përcaktimin e kandidaturave të PR në këtë qark, dhe zhvillimet e fundit politike.
Duke vlerësuar situatën si të rëndë, Mediu u shpreh se Kushtetuta shkruhet për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe për të kufizuar autoritetin dhe pushtetin, si dhe abuzimin e qeverisë.
“Edi Rama kërkoi të krijojë një bindje dhe vazhdon ta bëjë atë, që politika është e pavlefshme, ka vetëm një njeri në këtë vend, i cili mund të bëjë si të dojë, kontrollon dhe vepron sipas interesave të tij dhe të klanit që ai ka rreth e rrotull, duke ndërtuar regjimin më të korruptuar që ka sot Ballkani.
Për më tepër, Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet, ka pasur si qëllim që të shkatërrojë atë që është fuqia dhe autoriteti i çdo shqiptari.
Edi Rama nuk e do Europën. Çdo veprim që bën Edi Rama është kundër Europës. Ka shtatë vjet që Shqipëria refuzohet. Ka shtatë vjet që shqiptarët refuzohen. Refuzohen për shkak se Edi Rama nuk ka bërë asnjë gjë që të realizojë standardet që kërkon Bashkimi Europian”, tha mes të tjerash Mediu. (A2 Televizion)