
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi akuzat ndaj qeverisë në lidhje me situatën në sistemin e shëndetësisë dhe për mënyrën se si ajo po e përballon pandeminë.
Duke krahasuar shifrat e investimeve në shëndetësisë, Basha shprehet se Shqipëria është vendi që investon më pak se rajoni në shëndetësi dhe se premtimet për shëndetësi falas janë thjesht demagogji.
“Shqipëria investon sot më pak se çdo vend tjetër për kujdesin shëndetësor. Prandaj numri i mjekëve për frymë në Shqipëri është më i ulëti. Kjo është arsyeja pse pagat e mjekëve tanë, që tani po luftojnë në vijën e parë kundër pandemisë, janë më të ulëtat. Ata që e vuajnë këtë në kurrizin e tyre janë shqiptarët, të cilët paguajnë fatura të shtrenjta për ilaçet dhe trajtimin mjekësor.
Nuk ka pse të vazhdohet kështu. Ne mund dhe duhet të investojmë më shumë në shëndetësi. Ne mund ti paguajmë më mirë mjekët dhe infermierët tanë dhe mund të shtojmë numrin e tyre. Ne mund të rimbursojmë më shumë për ilaçet dhe ti bëjmë të përballueshme për të gjithë. Të gjitha këto mund të bëhen”, shkruan mes të tjerash Basha. (A2 Televizion)