
Për herë të parë në histori Dibra është bërë me 24 orë ujë. Me këtë bilanc një vjetor në krye të Bashkisë së Dibrës, kandidati socialist, Rrahim Spahiu, kërkon votën e dibranëve për një mandat 4-vjeçar. Në intervistën për Debatin në A2 CNN ai renditi prioritetet dhe sfidat e kësaj bashkie.
“Dibra për herë të parë në histori këtë vit është bërë me 24 orë ujë ky ishte një investimi qeverisë shqiptare dhe asnjë nuk e besonte. Me Fondin e Zhvillimit po bëhet rruga e Lurës e Bellovës dhe Rabdishtit që është te 100 fshatrat turistikë dhe zonë prodhuese e patates. Po bëhen fasadat e qytetit që rrit eficencën e energjisë dhe vlerën e pronave. Po shtrohen trotuaret në të gjitha zonat. Po asfaltohen rrugë në fshatra. Jemi përkushtuar në ndërtimin dhe meremetimin e objekteve arsimore”.
Fokusi kryesor sipas tij do të jetë turizmi dhe premtimi që ai u bën dibranëve është katërfishimi i punës që është bërë përgjatë këtij viti.
“Shikoni çfarë është bërë për një vit. Në vazhdim do të jetë 4-fishi i këtij viti meqenëse edhe qeveria është socialiste me ndihmën e saj do vazhdojmë investimet në rrugë kopshte e çerdhe dhe në zonat turistike. Dibrës i ka falur zoti një natyrë të mrekullueshme, me Korabin e llixhat që vijnë rreth 50 mijë turistë çdo vit. Fokusi kryesor ka qenë turizmi se po marrin zhvillim zonat si Lura Kalaja e Dodës, Grama dhe pikate tjera turistike. Në Lurë shkohej për 3-4 orë ndërsa me rrugën e re shkohet për 40 minuta. Atje do të ketë fluks që ne duhet të jemi të përgatitur për t’i pritur”.
Problematikën e këtij qarku kandidati Spahiu e lidh me mungesën e investimeve, pro Rruga e Arbrit e ka kthyer vëmendjen e qeverisë në Dibër.
“Në Dibër ka shumë vit që nuk është investuar dhe Rruga e Arbrit ka kthyer vëmendjen e qeverisë nga Dibra, pa mbështetjen e saj nuk bëhen gjithë këto investime”.
Drejtimin e bashkisë së Dibrës e bazon te profesionalizmi dhe për të, dibranët e majtë e të djathtë janë njësoj.
“Për mua të gjithë dibranët janë njëlloj në fshatra të djathta e të majta, investimi dhe përkushtimi është njëlloj”.
Kandidatit përballë nuk i njeh asnjë avantazh e disavantazh por vetëm forcën politike që përfaqëson, ndërsa vetes i njeh si avantazh njohjen me hallet e problemet e banorëve.
“Unë nuk njoh asnjë avantazh e disavantazh të këtij kandidati, por vetëm forcën që i përket flet shumë. Kam një vit në krye të bashkisë dhe jam njohur me hallet e problemet e Dibrës kam lëvizur në çdo fshat dhe më mirë se unë nuk i njeh askush tjetër hallet dhe problemet e njerëzve”. (A2 Televizion)