KAS rrëzon ankimin e PD-së, nuk përjashtohet nga gara kandidati i PS-së në Mallakastër

Nga A2 CNN
19 Prill 2023, 15:13 | Politikë
KAS rrëzon ankimin e PD-së, nuk përjashtohet nga gara kandidati i

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të përjashtuar nga zgjedhjet kandidatin e PS-së në Mallakastër, Qerim Ismailaj. Në aktin e saj, PD pretendonte se Qerim Ismailaj ishte në kushtet e ndalimit pasi është dënuar nga Gjykata e Posaçme për falsifikim dokumentesh zyrtare, dënim i cili ishte konvertuar me 40 orë punë publike. Por për shumicën e anëtarëve të KAS, këto pretendime nuk qëndronin duke vijuar lejimin e kandidatit të Ismailajt në Mallakastër.

Në shkurt të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Mallakastrës u gjet fajtor për akuzën e “falsifikimit të formularëve”. Ai u dënua me 6 muaj burg, dënim që u ul në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim, dënimi u konvertua në Shërbim Prove, duke detyruar kryebashkiakun në kryerjen e 40 orëve punë të papaguar në interes të publikut. Referuar vendimit, GJKKO e vlerësoi të bazuar akuzën e SPAK, se Ismailaj nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim fajësie nga drejtësia greke 23 vjet më parë.

Ismailaj paralajmëroi vazhdim të betejës ligjore. “Vendimi i dhënë sot nga gjykata nuk sjell asnjë pasojë ligjore lidhur me ushtrimin e funksionit tim në shërbim të qytetarëve mallkastriotë në pozicionin e kryetarit të bashkisë, ashtu si edhe në karrierën time në të ardhmen. Duke qenë i bindur në pafajësinë time të plotë, por edhe duke ndjekur të gjitha procedurat për respektimin e të drejtave të njeriut, do të vazhdoj betejën në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë”, tha Ismailaj.

Para se të merrej i pandehur nga SPAK, Ismailaj u akuzua nga Partia Demokratike për fshehje të dënimit të tij në Greqi. Pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë Mallakastër në zgjedhjet vendore të vitit 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmoi në detyrë, vendim që u la në fuqi edhe nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos