Bashkimi me Shqipërinë me referendum, Kurti: Nuk do të nisim një Luftë të Tretë Ballkanike

Nga A2 CNN
31 Janar 2021, 12:19 | Kosova
Bashkimi me Shqipërinë me referendum, Kurti: Nuk do të nisim

Bashkimi me Shqipërinë është ende pjesë e planeve të Lëvizjes Vetëvendosje. Konfirmimi erdhi nga vetë kryetari, Albin Kurti, i cili në një bashkëbisedim me drejtuesit e revistës politike të Oksfordit, theksoi se Kosova duhet ta ketë të drejtën e referendumit për këtë çështje. Por bëri të qartë se Kushtetuta e vendit nuk lejon bashkimin me një shtet tjetër.

“Serbia dëshiron që të krijojë Serbinë e Madhe pasi që Beogradi u bën presion serbëve nëpër shtete të Ballkanit të mos integrohen. Ne duam të kemi të drejtën e referendumit, ne nuk duam të shohim ndonjë formë të dhunës të bashkimit. Kosova duhet ta ketë të drejtën për referendum jo domosdo që të bashkohemi me Shqipërinë, por të kemi të drejtën e referendumit. Nëse bëhet në formë paqësore dhe demokratike atëherë po bashkim me Shqipërinë dhe do ta respektojmë rezultatin, por në asnjë mënyrë ne nuk do të nisim një luftë të tretë ballkanike në mënyrë që bashkohemi me Shqipërinë”, u shpreh Albin Kurti.

Kurti foli edhe për dialogun me Serbinë dhe sqaroi se nuk është i gatshëm që të hyjë në bisedime për të kompensuar palën tjetër. 

“Lotët në fytyrën e Vuçiçit nuk janë lot të serbëve të zakonshëm, por lot të Serbisë si shtet që e ka humbur Kosovën. Negociatat në dialog janë diçka që njerëzit duhet të jenë përfitues dhe jo politikanët. Ne duhet të ndihmojmë njerëzit”, shtoi kreu i Vetëvendosje.

Ndërkohë, çështja e bashkimit kombëtar me Shqipërinë është propozuar fillimisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj, tha se nëse deri në vitin 2025, Kosova nuk do të përparonte në anëtarësimet euroatlantike, atëherë do të propozonte mbajtjen e një referendumi. Kjo deklaratë e tij solli reagime të forta nga zyrtarët në Serbi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos