Bayern Munchen fitoi 2-3 në Dortmund, në një ndeshje të bukur dhe të luftuar nga të dy palët. Bavarezët arritën të siguronin në fund tri pikët, që i dhanë edhe kreun e renditjen e kampionatit gjerman.
Marco Reus kaloi në epërsi vendasit në fund të pjesës së parë, por në minutën e katërt shtesë Daivd Alaba barazoi rezultatin për kampionët në fuqi. Tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë ishte Robert Lewandowski që kaloi në epërsi Bayern-in, ndërsa 10 minuta nga fundi, Leroy Sane vulosi fitoren me një gol të shënuar pas një kundërsulmi të shpejtë. Haaland arriti të shkurtonte rezultatin vetëm 3 minuta më vonë, por kaq nuk do të mjaftonte për Borussia-n, që e la Bayern-in të largohet me fitoren “në xhep”.
Dortmund zbriti kështu në vendin e tretë, pas fitores së Leipzig kundër Freiburg, ndërsa Lewandowski nisi shkëputjen në renditjen e golashënuesve të Bundesliga-s, pasi shkoi në kuotën e 11 golave, 5 më shumë se ndjekësi më i afërt, Haaland.
Polaku festoi në mënyrën më të shkëlqyer ndeshjen e 300-të për Bayern, duke shënuar golin e 260. Ditë rekordesh edhe për David Alaba, i cili shënoi në fitoren e 200 me fanelën e Bayern, të arritur në ndeshjen numër 270. (A2 Televizion)