
Sot, me nënshkrimin e kontratës së projektit, fillon programi i financimit të Bashkimit Europian për restaurimin dhe rijetësimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të shkuar, veçanërisht në Durrës dhe Krujë.
I pranishëm në Durrës, ndër të tjerët, ishin ambasadori i BE Luigi Soreca, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Dhjetë muaj pas tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, që është ende në mendjet tona, na kanë mbetur në mendje pamje si ajo e shembjes së mureve bizantine të shekullit të V në Durrës. Është gjithmonë emocionuese të shohësh të shkatërrohet diçka që i ka rezistuar shekujve, monumente që flasin për rrënjë që na lidhin njëri me tjetrin. Ato monumente janë ura për të shkuarën, por edhe për të ardhmen. BE vlerësoi se 55 monumente janë me rrezikshmëri të lartë dhe ka parashikuar 40 milionë euro për rindërtimin e tyre”, deklaroi ambasadori Soreca në fjalimin e tij.
Nga ana e tij, kryeministri Rama, nënvizoi se ky projekt, i cilësuar si tejet i rëndësishëm, është rezultat i solidaritetit të jashtëzakonshëm gjatë konferencës së Donatorëve në Bruksel, por nuk mungoi të thumbonte ata që tregohen skeptik me fondet. “Fondet e mbledhura aty administrohen nga vetë donatorët, përmes instrumenteve të tyre. Kush thotë ‘ku i çuat paratë, pse i vodhët?’, duhet të hapë veshët dhe të vërë mendjen në lëvizje”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, disa shohin si fasada dhe shpenzime të kota, “gjithçka ne bëjmë për të bukurën në këtë vend, por është dritëshkurtësi dhe injorancë e madhe. Programi që fillojmë sot është xhevahiri më i madh i këtyre projekteve, është një shumë e konsiderueshme, por e rëndësishme edhe për aspektin e dijes, sepse nuk flitet vetëm për restaurim, por për të ndërtuar një sistem jetësimi të këtyre monumenteve dhe një qasje tjetër të aksesit të vizitorëve, që do të sjellë impakt ekonomik në monumentet e Durrësit dhe Krujës që përfshihen”. (A2 Televizion)