
Gjatë fjalës së saj në forumin për sigurinë, GLOBSEC 2023 në Bratislavë të Sllovakisë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, prezantoi një iniciativë të re për Ballkanin Perëndimor, që siç tha, synon të shfrytëzojë momentin e rëndësishëm në rajon, pas progresit të shënuar gjatë muajve të fundit. Sipas Von Der Leyen, bëhet fjalë për një plan të ri zhvillimi që do t’u japë që tani qytetarëve të rajonit, disa prej benefiteve të anëtarësimit në BE.
“Plani bazohet në 4 shtylla. Së pari, synon të afrojë më shumë Ballkanin Perëndimore me tregun e përbashkët të BE. Së dyti, do të thellojë integrimin ekonomik rajonal. Së treti, do të përshpejtojë reformat thelbësore dhe së katërti do të rrisë fondet e para-anëtarësimit”, tha Ursula Von Der Leyen.
Kjo, sipas Von Der Leyen, është një qasje e re për Bashkimin Europian, ku nuk i kërkohet partnerëve të bëjnë hapa në drejtimin e tyre, por është BE-ja që ndërmerr një hap të madh drejt rajonit. Vonder Leyen tha se afrimi me tregun e përbashkët të BE-së duhet të shkojë paralelisht me zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal, që siç tha është thelbësor për të zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit e për ta bërë më atraktiv për investitorët e huaj. E megjithatë, për dhënien para kohe të avantazheve të anëtarësimit, do të duhet që disa prej kushteve të plotësohen paraprakisht, bëri të qartë shefja e KE-së.
“Disa prej reformave që janë pjesë e procesit të anëtarësimit janë thelbësore për besimin e investitorëve. Mendoni të ndërtoni një sistem të pavarur dhe efikas gjyqësor, të siguroni prokurim të shëndoshë publik dhe të intensifikoi luftën kundër korrupsionit. Ose mendoni për tregun energjetik. Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për t’u shkëputur nga karburantet fosile të Rusisë. Por duhet të rrisë efikasitetin energjetik, të shtojë diversifikimin të përshpejtojë shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme”. Von Der Leyen tha se valët e shokut të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë kanë arritur gjithashtu, partnerët e Ballkanit Perëndimor. Ajo i cilësoi si tejet shqetësuese tensionet e fundin në veriun e Kosovës dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të marrin masa për rikthimin e qetësisë. (A2 Televizion)