
Rithemelimi i Sali Berishës ka denoncuar se ditën e sotme është arrestuar nënkryetari i FRPD së Shqipërisë Arvit Bushati. Me anë të një statusi në rrjette sociale, "Rithemelimi" thotë se ky arrestim është bërë pa një shkesë zyrtare, duke akuzuar se është një urdhër politik i dhënë nga kryeministri Edi Rama. Sipas tyre, kjo është një formë e Ramës për të intimiduar dhe mbajtur nën presion atë pjesë të opozitës që nuk e nënshtron dot.
“Në një kohë kur krimi po bën ligjin dhe shteti shqiptar është gjunjëzuar përpara tij, policia e shtetit vijon ti bindet urdhrave politik. Pa asnjë shkresë dhe në mënyrë abuzive është ndaluar gjatë orëve të mbrëmjes nga policia e Shkodrës dhe është shoqëruar në komisariatin e Shkodrës n/kryetari i FRPD së Shqipërisë Arvit Bushati. Efektivët e policisë pa asnjë shkresë, por vetëm nga urdhërat politik të shpërndara përmes telefonit bënë ndalimin e tij duke zgjedhur ti nënshtrohen kërkesave absurde të eprorëve, ndërsa bëjnë sehir përpara krimit që ka mbërthyer Shkodrën duke mbjellë pasiguri për qytetarët e saj. Kjo situatë kriminale ku për ligjin nuk pyet askush, është fytyra e vërtetë e qeverisë Rama e cila në gjithë këto vite ka zgjedhur që të bëhet palë me të keqen. Nuk është hera e parë që të tilla skena kryhen në Shkodër ndaj përfaqësuesve të opozitës, përmes ngjarjeve të inskenuara dhe tërësisht antiligjore, vetëm e vetëm për ti intimiduar dhe mbajtur nën presion. Edi Rama dhe bandat e tij me dhe pa uniformën e shtetit, por të sponsorizuara prej tij nuk do t’ja arrijnë të nënshtrojnë opozitën dhe mbështetësit e saj, përtej cdo skeme që do të tentojnë të vënë në zbatim. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit dhe të gjitha strukturave ligjzbatuese të qëndrojnë larg urdhërave politik pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë Edi Ramë që ti mbrojë përballë këtij skenari antiligjor që është ngritur në këto 10 vite në vend”, thuhet në reagim.
Bushati është aktualisht drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Shkodër dhe një nga zërat të deklaruar hapur pro "Rithemelimit". (A2 Televizion)