
Fati i Ballkanit të Hapur ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare nga 3 nismëtarët, nëse misioni i tij do të vijojë apo jo. Rama kërkon ta mbajë pezull, ndërsa Vuçic dhe Kovaçevki synojnë jetëgjatësinë e këtij bashkëpunimi rajonal mes Tiranës, Shkupit dhe Beogradit.
Kësaj dileme u mundua t’i jepte një përgjigje edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në bashkinë minoritare Pustec, së bashku me homologun shqiptar. I pyetur për këtë çështje, Stevo Pendarovski u tregua më i qartë se kryeministri i vendit të tij, teksa i jep më shumë pikë Procesit të Berlinit ndaj Balkanit të Hapur, që mbeti i paplotë: “Ekzistojnë mbi 50 iniciativa të cilat krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim midis 3 shteteve. Ballkani i Hapur ka qenë një prej atyre iniciativave dhe shpresoj që një format i tillë të vazhdojë dhe të funksionojë më tej. Të 6 vendet e Ballkanit e kanë të qartë se çadër për të gjitha nismat rajonale është Procesi i Berlinit, i cili ka marrëdhënie strukturore më të forta se Ballkani iHapur. 6 shtete marrin pjesë në procesin e Berlinit, ndërsa vetëm 3 shtete në Ballkanin e Hapur dhe kjo është një mangësi e madhe për Ballkanin e Hapur”.
Ndërsa Kreu i Shtetit shqiptar Bajram Begaj shmangu një përplasje të mundshme me shefin e qeverisë shqiptare, duke ia lënë Ramës përgjegjësine që të vendosë pikat mbi i për Ballkanin e Hapur: “Lehtëson lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve. Padyshim, si çdo inciativë tjetër rajonale, është e mirë. Vendimmarrësit politik ekzekutiv mendojnë dhe vendosin për vazhdimin e një iniciative apo jo”.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë rënë dakord që mos të ndalohet puna për implementimin e marrëveshjeve të firmosura në takimet e Ballkanit të hapur, por deri në tetor, të paktën sipas organizatorit Edi Rama, fokusi duhet të jetë Procesi i Berlinit që do të mbahet në Tiranë. (A2 Televizion)