
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim homologen e tij hungareze, Katalin Novak.
Në qendër të bisedës mes tyre ishte bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimet aktuale në rajon.
Pas pritjes në Presidencë, Begaj dhe Novak kanë dalë në një deklaratë për mediat.
“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik. Faleminderit Hungarisë që inicioi shpalljen nga OKB-ja të 5 shtatorit si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë në nderim të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë. Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri. Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Hungaria mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Presidenti Begaj.
Ndër të tjera, në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen hungareze, Presidenti Begaj komentoi edhe atë që po ndodh në veri të Kosovës, ku vlerësoi kontributin e trupave ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.
Ai shprehu keqardhjen për ushtarët hungarezë të lënduar gjatë trazirave në veri të Kosovës.
“I shpreha keqardhjen Presidentes Novak, për ushtarët hungarezë të lënduar në Veri të Kosovës. Vlerësova kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it. Për ne ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE. Vlerësuam dhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare”, deklaroi në lidhje me atë që po ndodh në Kosovë, Presidenti Bajram Begaj. (A2 Televizion)