
Ulja në dialog me Vuçiç është sfida më e madhe morale e Kurtit, por edhe e Kosovës. Kështu e konsideron analisti Ben Andoni, nisjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd më ndërmjetësimin ndërkombëtar në Bruksel. Në studion e “Absolut 4” Andoni theksoi se Kosova duhet të ketë unitet të brendshëm. Ai u shpreh i sigurt së Kurti do të jetë qeveritari i parë i Kosovës që do të pritet me nderime në Beograd, për shkak të piketave që po vendos Biden, por edhe sepse Serbia sipas tij është në borxh me të.
“Kurti ka sfidën më të madhe morale të jetës së tij dhe të Kosovës. Kosova duhet të ketë unitet të brendshëm. Kosova ka vepruar mirë, por më parë nuk më ka pëlqyer qasja ndaj Tahirit që e prisnin me vezë. Ishte një hap i vështirë që Kurti u ul me Vuçiç. Kurti do të jetë qeveritari ia parë i shtetit të Kosovës që do të pritet në Beograd me nderime. Më vjen nga forca e logjikës së Biden që po vendos piketat dhe nga ana tjetër Kurti është personazh që nuk mund të atakohet nga Beogradi. Beogradi i është borxhli atij dhe është i liruar nga akuzat. Do të doja që Kosova të mos humbte kohë”.
Për Andonin, Kosova nuk duhet të humbë kohë dhe të respektojë ato që janë arritur nga paraardhësit e Kurtit. Sipas tij çështjet problematike mes dy vendeve janë pronat dhe pensionet.
“Gjëja kryesore që është bërë sot është që dialogun e ka kaluar në prioritet. I besoj dokumentit themelor që është në Kosovë, por Kurti e ka kundërshtuar. Pavarësia është e padiskutueshme, njoha që i ka bërë gjykata e drejtësisë është e parevokushme. Këto janë pilastra ku nuk mund të lëvizet. Kosova nuk ka nevojë për humbje kohë. Kurti të respektonte paraardhësit e tij. Kosova ka punuar pavarësisht fërkimeve. Çështjet problematike mes dy vendeve janë pronat dhe pensionet që janë çështje themelore. Qëndrimi serb nuk do të ndryshojë, por do të imponohet. Serbia do të bëjë presionin më të madh për të mos e njohur dhe Vuçiç gjendet në vështirësi për ta artikuluar”. (A2 Televizion)