“Bëni Rusinë të arsyetojë!” Macron kërkon ndihmën e Jinping gjatë vizitës në Kinë

Nga A2 CNN
6 Prill 2023, 15:58 | Bota
“Bëni Rusinë të arsyetojë!” Macron kërkon

Presidenti francez Emanuel Macron i bëri thirrje homologut kinez Shi Jinping të shfrytëzojë influencën e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Deklarata erdhi gjatë vizitës së rëndësishme të kreut të Elizësë në Pekin, ku shoqërohet nga presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen.

“Agresioni rus në Ukrainë goditi fort stabilitetin dhe i dha fund dekadave të paqes në Europë. E di se mund të mbështetem tek ju për t’i rikthyer arsyen Rusisë dhe për të ulur palët në tryezën e negociatave”, u shpreh Macron.

Shi Jinpin pranoi se dy vendet kanë aftësinë dhe përgjegjësinë për të ruajtur paqen botërore dhe u shpreh Kina këmbëngul për zgjidhjen politike të konfliktit. Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të shmangte përshkallëzimin, ndërsa theksoi se bashku me Macron qëndrimin kundër përdorimit të armëve bërthamore.

“Kina këmbëngul për promovimin e bisedimeve të paqes dhe një zgjidhje politike të konfliktit. Jemi të gatshëm të bashkëpunojë me Francën për të ftuar komunitetin ndërkombëtar të ketë një qasje racionale dhe të shmangë veprimet provokuese qe mund të përshkallëzojnë krizën”, u shpreh Xi Jinping.

Kina ka refuzuar të dënojë agresionin rus, dhe gjatë një vizite të zhvilluar gjatë muajit mars në Moskë, Jinping rikonfirmoi aleancën e ngushtë me Moskën. Por gjatë vizitës që po ndiqet me shumë vëmendje mes përkeqësimit të marrëdhënieve me Kinën, Macron do të përpiqet gjithashtu t’i japë një shtysë marrëdhënieve tregtare dhe shoqërohet nga një delegacion i madh biznesi.

Në takimet e zhvilluara më herët me kryeminstrin Li Qiang, Macron dhe Von Der Leyen kërkuan intensifikim te dialogut me Pekinin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos