
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, u shpreh se, deputetët e opozitës shqiptare në Parlament janë trajtuar në mënyrë antikushtetuese, për të drejtën e fjalës.
“Theksoj se në parimin tonë, aty ku është shtypja, aty do të jetë qëndresa, aty do të jetë fitorja. Ne nisëm një revolucion i cili ka për objektiv madhor, përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e të drejtës së votës së lirë të këtyre qytetarëve si objektivat më madhorë të tij.
Në kushtet e monizmit të plotë një nga institucionet më të goditura është parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar që është kushtetuta shkelmohet në parlament, dhunohet në parlament. Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese.
Të drejtat e tyre janë dhunuar, janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e parlamentit. Për të drejtën e fjalës deputetët janë përjashtuar nga parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.
Por deputetët e opozitës nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por 750 mijë votues të cilët në zgjedhjet e fundit votuan për forcat opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet, dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre nuk bën gjë tjetër veç se kërkon konfliktin e hapur. Në këto kushte ne nisëm revolucionin tonë, për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit gjer në triumfin e tij. Nuk ka dyshim që parlamenti është një epiqendër jashtëzakonisht e rëndësishme.”
Kreu i PD, Sali Berisha në mbledhjen e Grupit
Berisha: Gjykata Kushtetuese u dorëzua para Rama-Veliajt, vendime e saj letra të vdekura
“Gjykata Kushtetuese në mënyrën më të habitshme kapitulloi përfundimisht përpara Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Kërkesës së Aleancës së Qytetarëve për të qëndruar pas vendimit të saj, gjykata ju përgjigj në mënyrën më kapitulluese, nuk kemi mjete, nuk kemi lidhje, nuk kemi ç’bëjmë dhe vendimi ynë është një letër e vdekur.
Ky shtet në organigramë, në bordero ka president Republike, ka Polici Shteti, ka prokurori, të cilat në rastin më të parë janë të detyruar të qëndrojnë me të gjithë forcën e ligjeve në mbrojtje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që kanë vlerën e një norme kushtetuese, kurse këtu kanë normën zero. Këto vendime këtu janë letër e vdekur.
Këtu dominon vullneti i Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bandidatëve që i paguajnë.
Solla këtë shembull për qytetarët që të kuptojnë se në çfarë gjendje katastrofike janë të drejtat e tyre në këtë vend. Për të gjithë atë të cilët bëjnë deklarata të blera ndaj këtij vendi. E vërteta është, kjo e ka katandisur këtë vend, në raport me shtetin ligjor, 4 vende nën Vietnamin komunist.” (A2 Televizion)
Kreu i PD, Sali Berisha në mbledhjen e Grupit