Projektligji për energjitë e rinovueshme, garantohet tregtimi i tepricës së energjisë së vetëprodhuar, opozita kundër

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2023, 15:13 | Politikë
Projektligji për energjitë e rinovueshme, garantohet tregtimi i

Qeveria ka propozuar një ligj të ri për energjitë e rinovueshme, që synon diversifikimin e burimeve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Ndërsa do të garantohet edhe tregtimi i tepricës së energjisë së vetë-prodhuar, nga ato biznese që kanë instaluar panele diellore.

“Ky projektligj synon që të realizojnë tragetin e ri të burimeve të rinovueshme në Shqipëri që në vitin 2030 është 54 për qind, pjesë e konsumit total bruto nga burimet e rinovueshme. Po ashtu merr përsipër të rregullojë vetë-prodhimin dhe matjen vjetore të energjisë së vetëprodhuar.”

Enea Krakaçi, Drejtor i përgjithshëm i energjisë në Ministrinë e Energjetikës

Zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja tregoi edhe mënyrën se si do të garantohet njohja e të drejtës së prodhuesve të vegjël për ta tregtuar lirshëm tepricën e energjisë së prodhuar.

“Do të shoqërohet edhe nga krijimi i Operatorit të Energjisë së Rinovueshme i cili të gjithë energjinë që do të akomodojë nga këto burime do ta hedhë në bursën e energjisë, pra në tregun e lirë.”

Ilir Bejtja, zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Por për përfaqësuesit e opozitës në komision, më shumë se ndihmë për qytetarët dhe bizneset, nisma ligjore le hapësirë për monopol.

“Ashtu si çdo projektligj tjetër që vjen nga kjo mazhorancë edhe ky projektligj është i hartuar nga dhe i projektuar që të përfitojnë një grup njerëzish dhe jo masa në përgjithësi.”

Lefter Gështenja, deputet i Partisë Demokratike

Në përpjekje për t’i kthyer përgjigje pretendimeve të deputetit demokrat, fjala e zëvendës-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u ndërpre nga kryetari i komisioninit Arben Pëllumbi pak sekonda para se akrepat e orës të shënonin mesditën.

Projektligj të ri “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”,që pritet të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2017 do të shqyrtohet sërish në komisione për të kaluar më pas për votim në Parlament. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos