
Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestën që opozita pritet të mbajë përpara Kuvendit pasditen e së hënës.
Kryedemokrati theksoi se protesta e sotme ka si qëllim ngritjen e zërit kundër “shkelmimit të interesave të 750 mijë zgjedhësve që votuan për partitë opozitare në zgjedhjet e shkuara."
Po ashtu, Berisha ka akuzuar mazhorancën se ka publikuar video të regjistruara kohë më parë “duke i shitur” si të protestës së 11 shkurtit. Ai ftoi qytetarët që t’i bashkohen opozitës sot në orën 17:00 para Kuvendit që të dëgjohet zëri i tyre.
Qytetarë dhe qytetare, zëri juaj dhe prania juaj ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë. Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt, ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët.
Sali Berisha, kreu i PD.
Ky është morali i tyre, karakteri i tyre. Ndaj dhe sot në orën 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar. (A2 Televizion)