
Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi edhe njëherë Lulzim Bashën, në lidhje me akuzat e këtij të fundit se i ka mbledhur firmat e delegatëve të kuvendit me kriminelë dhe një prej tyre është dhe Suel Çela.
Berisha u shpreh nga Kurbini se këtë kriminel e ka denoncuar dhjetëra herë dhe kërkon zbardhjen e disa telefonatave me Bashën, ku ai i ka kërkuar të mos ia përmendë emrin pasi i prish punë.
“Gjatë këtyre kohëve fabrikon mashtrime nga më të ndryshmet. Vetë dhe me ta u shpreh se Sali Berisha ka mbledhur firmat me kriminelë. Po të jetë për emra, i kam denoncuar me emra. E bëj për qytetarët, për gazetarët. Unë i kam denoncuar gjithnjë kriminelët në adresën tim në rrjetet sociale dhe nuk kam frikë fare. Unë i godas që ta dinë që ka një zë. Një prej tyre është Suel Çela. E kam denoncuar 26 herë këtë kriminel. Lulzim Basha nuk ka asnjë status, përkundrazi, disa telefonata me Sali Berishën le të merren tabulatet, ku i kërkon të mos ia përmend emrin se na prish punë. Jo mor jo, do t’ia përmend emrin”, tha Berisha. (A2 Televizion)