Vaksinimi në rrethe, Sinovac mungon në Korçë dhe Vlorë

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 13:14 | Aktualitet
Vaksinimi në rrethe, Sinovac mungon në Korçë dhe

Mungesa të vaksinës kineze janë shfaqur edhe në rrethe të tjera të vendit. Në Korçë dhe Pogradec prej dy ditësh qytetarët nuk po arrijnë të marrin dot dozën e dytë të vaksinës për shkak se ka mungesë të saj.

Janë vetë qytetarët që pohojnë një fakt të tillë, ndërsa shprehen se nuk u kanë dhënë një datë fikse se kur do të vijnë dozat e tjera.

Ndërkohë, në njësitë administrative të qarkut Korçë, ka ende doza të vaksinës kineze në gjendje, çka tregon se ritmi i vaksinimit në këto zona ka qenë më i ulët.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Vlorë, në qendrën e vaksinimit nuk ka persona që presin, ndërsa stafet mjekësore konfirmojnë mungesën e vaksinës kineze.

Në Vlorë po vijohet vaksinimi me vaksinën Pfizer të cilën po e marrin grupet e përcaktuara nga protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, në Durrës procesi i vaksinimit po vijon normalisht, autoritetet nuk raportojnë mungesa të vaksinës kineze. Sipas tyre, po përdoren 4 llojet e vaksinave, Sputnik, Sinovac, AstraZeneca dhe Pfizer. Deri tani, në bashkinë e Durrësit janë vaksinuar 53 mijë persona.

Edhe në Shkodër procesi i vaksinimit po vijon normalisht dhe deri më tani nuk janë raportuar mungesa të vaksinave. Qytetarët po marrin rregullisht si dozat e para, ashtu edhe ato të dyta, sipas planifikimeve përkatëse.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos