Berisha: Operacioni i SPAK meritë e hetimeve të partnerëve

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 15:16 | Politikë
Berisha: Operacioni i SPAK meritë e hetimeve të partnerëve

Operacioni i SPAK ku u arrestuan prokurorë, ish-shefa policie e biznesmenë të dyshuar si të lidhur me grupe të strukturuara kriminale nuk do të kishte sukses pa hetimin e Europol. Ky është vlerësimi i Sali Berishës, që nga selia e PD-së, u shpreh se strukturat partnere arritën të dekriptonin aplikacionin që përdornin për të komunikuar.

Suksesin e operacionit të SPAK ku ranë në pranga biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i operacionales në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri, Sali Berisha ia faturon hetimeve të partnerëve ndërkombëtarë.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se këto të dhëna dolën në dritë, pasi Europol arriti të dekriptonte aplikacione që janë përdorur për të komunikuar ndërmjet grupeve të strukturuara kriminale.

“Jam këtu gjithashtu të njoftoj shqiptarët se arrestimin i Pëllumb Gjobës, Oltion Bistrit dhe prokurorit Lita, është meritë para së gjithash meritë e Europol, e partnerëve tanë të cilët kanë sjellë këtu transkriptimet e atyre telefonave Sky, Incrochat, Icc”, deklaroi Berisha.

Por Sali Berisha u shpreh i bindur se përdorues të këtyre aplikacioneve ka edhe brenda godinës qeveritare.

“Në të cilët Shqipëria del vendi më i pasur, në territorin e Shqipërisë janë tetë mijë përdorues telefoni, ndërtesa e Kryeministrisë del në të katërta anët me llampë të kuqe, aty ku vëzhgojnë”.

Jashtë vëmendjes nuk la as ish-numrin dy të socialistëve, Damian Gjiknurin, të shkarkuar një ditë më parë nga Rama.

“Në qoftë se Arben Ahmetajt ia gjetën vilën, garantoj ata të cilët mund të kenë vullnet të hetojnë, se tek Gjiknuri do të gjejnë hotele! Hotele! Jo për të fjetur, por hotele të cilat ai i ka vendosur në emër të një tjetri”, u shpreh Berisha.

Sipas liderit të rithemelimit, Gjiknuri është bërë pjesë e aferës së inceneratorit të Elbasanit në vitin 2014 kur ishte Ministër i Energjisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos