
Pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi kontrollin në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social për verifikimin e të gjitha hallkave të mbylljes së jetimoreve në vend, ka ardhur edhe reagimi i ministres Manastirliu. Sipas saj nuk ka mbyllje të qendrave rezidenciale, por fuqizim të shërbimeve që synojnë që çdo fëmijë të ketë një familje.
“Plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje. Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë dhe do të transformohen, duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve por edhe familjeve”.
Gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë për Planin Kombëtar të Deinstitucionalizimit, ministrja theksoi se qëllimi i këtij plani është që fëmijët të rriten në një mjedis familjar, duke fuqizuar familjen.
“Qëllimi ynë primar është parandalimi i ndarjes së fëmijës nga familja, ndaj fokusi është fuqizimi i bërthamës familjare, përmes mbështetjes në një aspekt shumë planësh, nga mbështetja ekonomike tek ajo sociale. Gjithashtu ofrimi i kujdesit alternativ profesional nëpërmjet shërbimeve të menaxhuara nga strukturat në nivel vendor dhe qendror, si dhe krijimit të rrjetit të familjeve kujdestare, mbetet një tjetër objektiv që po adresojmë në këtë plan”.
Duke folur për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve, Manastirliu bëri me dije se është miratuar Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve që synon t’u japë zgjidhje sfidave më domethënëse përsa i përket të drejtave të fëmijëve.
“Qeveria Shqiptare miratoi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, një agjendë 5-vjeçare, e cila synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për fëmijët në të gjitha fushat. Ajo parashtron parimet për një rol edhe më aktiv në promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, me fokus tek parandalimi. Agjenda përmban politikat që ne synojmë për fëmijët që jetojnë në zonat urbane dhe rurale, e atyre në shkollë dhe jo në shkollë, e fëmijëve që aktualisht jetojnë në familje dhe atyre që duhet të bashkohen me familjet e tyre. Interesi më i lartë i fëmijëve, është busulla që na orienton në politikat dhe programet që ndërmarrim”.
Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e Shtëpive të Fëmijës deri në fund të dhjetorit, në kuadër të një projekti për fuqizimin e familjes. Kjo ka ngjallur reagime te punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë, sipas të cilave po tentohet me nxitim birësimi i fëmijëve, ose kthimi te familjet biologjike nga ku kanë ardhur me trauma dhe ngjarje të rënda. (A2 Televizion)