
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka reaguar në lidhje me mbylljen e jetimoreve në kuadër të një projekti pilot, për të cilën është shkaktuar mjaft shqetësim në opinionin publik ditët e fundit.
KLSH ka nisur një audit përputhshmërie dhe vlerësues duke pasur në fokus planin kombëtar për deinstitucionalizimin e institucioneve 2020-2021. Kontrolli tashmë ka nisur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social ku do të verifikohen të gjitha hallkat e kësaj procedure. KLSH-ja do të verifikoj formën dhe mënyrën e zhvillimit të projektit ku e ardhmja e fëmijëve jetim është në fokusin kryesor të këtij kontrolli, për të garantuar jetesën e tyre.
Fëmijët e jetimoreve, deri në dhjetor, do të detyrohen të kthehen në shtëpitë biologjike ose do të birësohen me procedurë më të shkurtuar se më parë. Në shtëpinë e fëmijëve, procesi ka nisur në shtator të vitit 2019-të, ku me VKM është pasqyruar deinstitucionalizimi i fëmijëve ku më pas nuk janë pranuar gjithashtu dhe raste të reja duke minimizuar artificialisht numrin e fëmijëve që kanë hyrë në institucion.
Kontrolli ka marr shkas nga materialet mediatike, ku kujdestarët e këtyre institucioneve kanë ngritur shqetësimin se fëmijët do të kthehen në familje, të cilat nuk janë gati, nuk janë trajnuar dhe mbi të gjitha fëmijët mund të rikthehen në kontingjent të dhunuar sërish.
Punonjësit e Jetimoreve janë shprehur se kanë trajtuar fëmijë që vinin nga trauma të rënda familjare dhe rikthimi i tyre në familje do të thotë të ripërjetojnë të njëjtat trauma, duke përmendur raste edhe të fëmijëve që vijnë nga prindër përdhunues. Sipas punonjësve, i gjithë procesi është mbajtur i fshehtë dhe aktualisht askush nuk ka dijeni për si do të procedohet në janarin e vitit 2022. (A2 Televizion)