“Beteja” e Lul Berishës me drejtësinë për pasuritë

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2020, 19:13 | Kronikë
“Beteja” e Lul Berishës me drejtësinë për

Pasuritë e Lulzim Berishës kanë kaluar njëherë nëpër filtrat e drejtësisë. Teksa gjykohej si drejtues i “bandës së Durrësit” në Gjykatën për Krimet e Rënda në një proces paralel e njëjta gjykatë vlerësonte kërkesat e prokurorisë për konfiskimin e pasurive të sekuestruara të tij, që dyshoheshin si të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Në filtra kaluan pasuri në emër të tij, të bashkëshortes, të motrës si edhe të ish-deputetit Hazir Gashi, me të cilin familja Berisha kishte një marrëdhënie kontraktore, sipas së cilës përfitonin 33 apartamente, dyqan dhe garazhe në një pallat të ndërtuar prej kompanisë së tij në truallin e tyre.

Në shtator 2009 Shkalla e Parë e Krimeve vendosi të kalojë në pronësi të shtetit 2,5 hektarë truall të Lulëzim Berishës, që gjendeshin në Durrës dhe rrethina. Ndërkohë, 33 apartamente, një dyqan dhe disa garazhe, të barasvlershme me 25% të vlerës së pallati të ndërtuar nga kompania e ish-deputetit Gashi, u çliruan nga sekuestroja. Ky vendim u prish nga Apeli i Krimeve të Rënda, i cili i kaloi të gjitha pasuritë e sekuestruara të Berishës dhe familjarëve në llogari të shtetit. Por çështja u dërgua prej tyre në Gjykatën e Lartë.

Në shkurt 2010 një Kolegj Penal vlerësoi se vendimi i Apelit duhej prishur dhe la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Krimeve, që i konfiskoi vetëm 2,5 hektarë tokë. Në procesin penal, Lulzim Berisha u dënua me një vendim përfundimtar prej 25 vitesh burg për llogari të krimeve të kryera si drejtues i “bandës së Durrësit”. Ai u lirua me kusht në vitin 2016. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos