
Ka filluar zyrtarisht aktiviteti i operacionit Forca e Ligjit, dhe si pasojë janë nisur kërkesat e para me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë të disa subjekteve.
Sipas Forcave të Policisë, deklarimet e para kanë mbërritur tek dy subjekte që akuzohen për drejtimin e grupeve kriminale si dhe për një sërë vrasjesh në Durrës dhe Elbasan.
Shtetasi i parë është Lulzim Berisha. 49 vjeç, i akuzuar si drejtues i një grupi kriminal me bazë në Durrës, dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për të cilin Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht.
Burime konfidenciale të A2 bëjnë me dije se në subjektet në pronësi të Berish. janë paraqitur forca policore për verifikimet respektive. Hetuesit dyshojnë se pas daljes nga qelitë Lulzim Berisha është përfshirë në disa biznese mes tyre dhe atë të hidrokarbureve dhe për këtë kërkojnë justifikimin e të ardhurave.
Personi i dytë është shtetasi Adrian Çapja, 52 vjeç, i arrestuar në flagrancë për veprat penale "Vrasja e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”, i dyshuar si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje.
Ardian Capja sipas Operacionit Forca e Ligjit është i dyshuar për një sere vrasjesh në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje ndërsa në qershor të vitit 2016 qëlloi ndaj Policisë. Sipas Policisë, Çapja së bashku me të afërm të tij ka kryer dhe vrasje me pagesë përgjatë viteve 2009-2016.
Subjektet duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Operacioni Forca e Ligjit vijoi dhe në Shkodër ku u sekuestruan biznese të Gentian Doçit, por edhe fisit Bajri, edhe këta të dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale. (A2 Televizion)