Beteja për Dibrën, socialistët kërkojnë të mbyllin një mandat të plotë, opozita shpreson të rikthehet

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 14:04 | Politikë

Gara kryesore për Qarkun e Dibrës është ajo në bashkinë e Peshkopisë që ka një veçori nga 60 bashkitë e tjera. Kjo pasi në 8 vitet e fundit ka pasur 4 kryetarë socialistë, ku asnjeri prej tyre nuk e ka përfunduar mandatin e plotë për arsye të ndryshme.

Nga i famshmi Shukri Xhelili, Muharem Rama, Dionis Imeraj dhe Rahim Spahiu, kryebashkiaku aktual prej 1 viti, që është edhe kandidat i socialistëve në 14 maj. Përballë tij është Ismail Uka, avokat, i koalicionit të Berishës dhe Metës dhe kandidati i PD-së së Alibeajt, Naim Gazidede.

Dibra ka qenë një zonë ku janë zhvilluar beteja elektorale mes palëve. Por vitet e fundit atje ka qenë faktor edhe PDIU, partia e Shpëtim Idrizit. Dosja e famshme 184 për krimet e dyshuar zgjedhore të vitit 2016 rivjen shpesh në debatin politik mes palëve në Tiranë.

Por si do të jetë rezultati i 14 majit?

Dibra në shifra

https://youtu.be/jRNgmbtHC8E

Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë. Ka shkruar Gjergj Fishta, por për Dibrën gjen përshkrime fantastike edhe nga Edit Durham, udhëtarja, artistja dhe shkrimtarja britanike që njihet për shkrimet e saj antropologjike mbi jetën në Shqipërinë e Epërme.

Dibra është e bekuar, do të tregojnë banorët sapo të mbërrish aty. Sepse Zoti është treguar bujar jo vetëm me natyrën, por edhe me pasuritë që gjen nën dhe mbi tokë. Aty gjen malin më të lartë të Shqipërisë, ujërat termalë më kurativ në Ballkan, fushën, lumin, parqet kombëtare, bjeshkët. Ajri dhe uji nuk shpjegohen me fjalë.

Dibra, edhe pse mund të mos e dini, është qyteti pasardhës i fisit ilir Dober, i shquar për tregtinë dhe artizanatin. Mes përmes qytetit, kalonte rruga e Arbrit, një nga kalimet kryesore romake që i dhanë shtysën zhvillimit ekonomik kësaj zone.

https://youtu.be/aoETkC7bkfM

Sot, zyrtarisht Qarku i Dibrës shtrihet në pjesën veri-lindore të Shqipërisë, në zonën qendrore malore, në të dy anët e lumit Drini i Zi dhe në luginën e Matit me një sipërfaqe rreth 2.586 km², me terren kryesisht malor.

Sipas të dhënave të INSTAT në janar të vitit 2022, Qarku i Dibrës ka një popullsi prej 109,585 banorë dhe më dendësi mesatare prej 42 banorë për km2, që është më e ulët se mesatarja e vendit. Ndërsa sipas të dhënave të gjendjes civile aty popullsia aktualisht është 75 348 mijë banorë, të cilët më së shumti jetojnë në fshat, dhe vetëm 25% jetojnë në qytet. Sipas ndarjes administrative të vitit 2014, popullsia e qarkut është e shpërndarë në 4 bashki të cilat në këto zgjedhje vendore të 14 majit do të vendosin për të ardhmen e tyre.

Bashkia Dibër që përbëhet nga qyteti i Peshkopisë dhe 15 njësi administrative ku do të përballen kandidatët Rahim Spahiu nga Partia Socialiste dhe Ismail Uka i koalicionit “Bashkë fitojmë”. Socialisti Spahiu, që njihet si bankieri që la profesionin e tij për të hyrë në politikë, fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit vitin e shkuar dhe garon sërish përballë Ismail Ukës, i cili është kandidati i propozuar nga koalicioni Berisha-Meta.

Bashkia Mat, e cila përbëhet nga qyteti i Burrelit ka tetë njësi administrative dhe në zgjedhjet e 14 majit ka si alternative të dy kampeve kryesore Agron Malaj nga ana e socialistëve dhe Skënder Gjuci si pretendent nga koalicioni “Bashkë fitojmë”. Socialisti  Agron Malaj, pas katër viteve në pushtet, kërkon mandatin e dytë, ndërsa Skënder Gjuci pasi ka provuar veten dy mandate si kryetar komune, tani synon drejtimin e bashkësi.

Bashkia Bulqizë e cila përbëhet nga qyteti i Bulqizës dhe shtatë njësi administrative këto zgjedhje vë përballë socialisten Festime Mjeshtri dhe opozitarin Dëfrim Fiku.

Bashkia Klos e cila përbëhet nga qyteti i Klosit dhe tre njësi administrative më 14 maj propozon si kandidatë socialisten Valbona Kola dhe Bedri Hoxha si emri që vjen nga koalicioni “Bashkë fitojmë”.

Nëntoka e këtij qarku është e pasur me minerale si bakri dhe kromi, por edhe me gurë dekorative Minierat që vazhdojnë të operojnë janë minierat e kromit në Bulqizë dhe Klos. Burimet e bollshme ujore kanë mundësuar rezervat ujore energjetike të HEC-ëve të Shkopetit dhe Ulzës. Prania e tarracave lumore, fundeve të sheshta në vendet e larta lejon kultivimin e një numri të konsiderueshëm produktesh bujqësore.

Në studimet dhe vlerësimet e bëra si nga institucionet qendrore, vendore por dhe organizatat joqeveritare turizmi, sidomos ai alpin është, është pika e fortë e këtij qarku. Parku Kombëtar i Lurës është e vetmja zonë në mbrojtje në qarkun e Dibrës. Qarku ofron mundësi të shumta për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit dhe sporteve dimërore. Vende të përshtatshme për të zhvillimin e turizmit janë: Lura, Radomira, lugina e Drinit të Zi e të tjera. Lumenjtë dhe liqenet akullnajore janë të një potenciali të madh ekonomik dhe turistik.

Vitet e fundit në Dibër ka një interes të shtuar të të rinjve për t’u përfshirë në sektorin e turizmit. Dikush si sipërmarrës në agroturizëm, e të tjerë në turizmin e aventurës, disa si udhërrëfyes e të tjera edhe vetëm si promovues të bukurive të zonës.

Këto janë resurset kryesore që ofron qarku, por ndër vite duket se shfrytëzimi dhe përfitimi prej tyre ka qenë pak ose aspak i përkthyer në zhvillimin e kësaj zone. Me nevojën për investime në infrastrukturë, dibranët e matjanët presin prej dekadash që pushteti vendor dhe ai qendror të kthejnë vëmendjen me investime dhe projekte konkrete për të shmangur tkurrjen e vazhdueshme në popullsi e për rrjedhojë dhe të zonave të këtij qarku.

Por vetë dibranët çfarë mendojnë për garën e 14 majit? Cilat janë pritshmëritë e tyre nga dy kandidatët e Partisë Socialiste dhe Koalicionit Bashkë Fitojmë.

https://youtu.be/PVtATIGxcW4

Kandidati socialist kërkon sërish votën e dibranëve: Për herë të parë në histori Dibra ka 24 orë ujë

Për herë të parë në histori Dibra është bërë me 24 orë ujë. Me këtë bilanc një vjetor në krye të Bashkisë së Dibrës, kandidati socialist, Rrahim Spahiu, kërkon votën e dibranëve për një mandat 4-vjeçar. Në intervistën për Debatin në A2 CNN ai renditi prioritetet dhe sfidat e kësaj bashkie.

“Dibra për herë të parë në histori këtë vit është bërë me 24 orë ujë ky ishte një investimi qeverisë shqiptare dhe asnjë nuk e besonte. Me Fondin e Zhvillimit po bëhet rruga e Lurës e Bellovës dhe Rabdishtit që është te 100 fshatrat turistikë dhe zonë prodhuese e patates. Po bëhen fasadat e qytetit që rrit eficencën e energjisë dhe vlerën e pronave. Po shtrohen trotuaret në të gjitha zonat. Po asfaltohen rrugë në fshatra. Jemi përkushtuar në ndërtimin dhe meremetimin e objekteve arsimore”.

Fokusi kryesor sipas tij do të jetë turizmi dhe premtimi që ai u bën dibranëve është katërfishimi i punës që është bërë përgjatë këtij viti.

Intervista e plotë

https://youtu.be/pTmDxwU9uIU

Kandidati i opozitës: Bashkia Dibër nuk do drejtohet më nga Tirana

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Dibër, Ismail Uka, në një intervistë me gazetarin Armand Bajrami për “Debat”, ka prezantuar platformën e tij për zgjedhjet e 14 majit. Zoti Uka u zotua se nëse do të ulet në karrigen e kryetarit gjëja e parë që do të bëjë është ta kthejë bashkinë te qytetari. Sipas tij, administrata aktualisht është në shërbim të kryetarit, dhe një pjesë e tyre janë në procese gjyqësore për abuzime me pushtetin lokal. Po ashtu, ai bëri të ditur se në fokus për të do të jetë rregullimi i infrastrukturës në lagje dhe fshatra.

Ismail Uka akuzoi socialistët se po u bëjnë presion me vendin e punës qytetarëve që janë të punësuar në administratë. Sipas tij, drejtorë të drejtorive të përgjithshme në kryeqytet, kanë dhënë dorëheqjen paraprakisht nëse dalin humbës në zonat e tyre.

“Drejtori i tatimeve, postës, ARRSH, OSHEE, të instaluar në Dibër dhe nëpërmjet administratorëve, kanë marrë gjithë listat e votuesve dhe u shkojnë shtëpi më shtëpi duke u kërkuar që të votojnë Rilindjes. Në të kundërt ata që janë në punë, më 15 punë nuk do të jenë më në punë,” shpjegoi ai.

Intervista e plotë

https://youtu.be/mgKqYPwPwjE

Betejat në bashkitë e tjera të qarkut

Bulqiza dhe 14 maji, qyteti nën dhe mbi tokë që pret zhvillimin e premtuar

https://youtu.be/2SKzRQwuYic

Mati i Agron Malajt, platforma e kandidatit të PS për 14 majin

https://youtu.be/6zX5v2u24Mo

Mati i Skënder Gjucit, platforma e kandidatit të “Bashkë fitojmë” për 14 majin (A2 Televizion)

https://youtu.be/12UpUHA91lw

A2 CNN Livestream

Latest Videos