Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur betimin e 8 anëtarëve të rinj të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, e njohur ndryshe si SPAK.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia e SHBA në Tiranë deklaron se nga sot Shqipëria ka një organ prokurorësh që do të hetojë dhe vendosë përpara drejtësisë zyrtarë dhe ish zyrtarë dhe botë të krimit.
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruhet në mesazhin e ambasadës së SHBA.
Edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Soreca uroi prokurorët e rinj që u betuan përpara presidentit dhe e cilësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm në implementimin e reformës në drejtësi.
“Mirëpresim betimin e 8 prokurorëve të SPAK përpara Presidentit. Ata janë tashmë të gatshëm për të nisur punën. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një prioritet për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. (A2 Televizion)