Dëmet e tërmetit në Floq, ka ende banesa të pariparuara dhe të lëna përgjysmë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 13:52 | Aktualitet
Dëmet e tërmetit në Floq, ka ende banesa të pariparuara dhe

Që nga 1 qershori i këtij viti, kur fshati Floq u godit nga disa tërmete, ende ka familje të cilat nuk janë futur në banesat e tyre. Gjashtë muaj pas këtij tërmeti, banesa e Bajram Bekollit është ende e dëmtuar edhe pse u premtua nga Bashkia se do të riparohej pa ardhur dimri.

Tani që stina e ftohtë ka trokitur, familja Bekolli nuk mund të qëndrojë në banesën e saj.

“Është dëmtuar komplet shtëpia edhe çatia lart. Më thanë që është e pabanueshme dhe nuk duhet të qëndroj brenda. Unë vijoj të qëndroj këtu pasi nuk kam ku të shkoj. Edhe dimri erdhi. Po të bjerë dëborë do na zerë çatia brenda”, u shpreh kryefamiljari Bajram Bekolli.

Ndërkohë, në një tjetër familje, atë të Sotiraq Pelivanit, i zoti i banesës i kreu vetë riparimet, por nga bashkia nuk i janë dhënë lekët dhe tani riparimet kanë mbetur përgjysmë, ndërsa familja Pelivani ka improvizuar një kasolle në oborrin e tyre për të kaluar netët e ftohta

“Nuk mund të bëhet shtëpia përgjysmë. Dy anë të murit t’i prishja dhe dy anët e tjera jo. Kjo është në riparim, prapë në rrezik është”, tha kryefamiljari Sotiraq Pelivani.

Dimri i ftohtë, me temperatura të ulëta është shqetësimi më i madh i familjeve në fshatin Floq. I vetmi apel që i bëhet Bashkisë së Korçës është të kryhen punimet deri në përfundimin e plotë të tyre në mënyrë që banorët të jenë të sigurt në banesat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos