Paketa antishpifje/ Injorohen kritikat, gazetarët protestë para Kuvendit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 21:41 | Aktualitet
Paketa antishpifje/ Injorohen kritikat, gazetarët protestë para

Mazhoranca injoroi reagimin e gazetarëve dhe zërat kritikë ndërkombëtarë, duke vulosur me votë dy ligjet për median, të njohura si paketa antishpifje.

Socialistët argumentuan se ndryshimet synojnë të formalizojnë tregun “online” duke mbrojtur qytetarët. Shqetësimet e gazetarëve dhe ndërkombëtarëve, sipas tyre, janë adresuar.

Pavarësisht ndryshimeve që mazhoranca pretendon se ka bërë deri në moment të fundit, nuk ka gjetur zgjidhje një nga pikat më shqetësuese të ligjit, ajo e pagesës së gjobës pa pritur të shprehet gjykata.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kërkuan reduktim të gjobave, por amendamentet e fundit të paraqitura nga grupi socialist shkojnë në drejtim të kundërt, duke e rritur tavanin nga 400 në 600 mijë lekë për portalet, ndërsa për televizionet mbeti i pandryshuar, 1 milion lekë.

Kush kapet në shkelje më shumë se 3 herë në vit, gjobitet akoma më rëndë.  

Gazetarët e shoqëruan diskutimin parlamentar me një protestë para sallës plenare. Ata mendojnë se vetërregullimi është rruga që duhet ndjekur sa i përket abuzimeve në media dhe gjykojnë se nisma e qeverisë synon të censurojë zërat e pavarur.

Edhe nëse Presidenti e kthen ligjin, njerëzit e medias janë të vetëdijshëm që mazhoranca nuk do të tërhiqet. Ndaj, ata paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe asaj për të drejtat e njeriut në Strasburg.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos