
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, iu drejtua amerikanëve në konferencën e tij të fundvitit. 78-vjeçari paralajmëroi javë jo të mira për vendin, i cili është më i prekuri në botë nga pandemia koronavirus, si dhe premtoi se do të ishte i sinqertë në deklaratat e tij.
“Një gjë mund t’ju premtoj ju për lidershipin tim gjatë kësaj krize, do të jem i drejtëpërdrejtë me ju. Do ju them të vërtetën, e cila është kjo: Ditët tona më të zeza, në këtë betejë kundër Covid-19, janë para nesh dhe nuk i kemi lënë ende pas. Prandaj, duhet të përgatitemi. Sado frustruese të duket, do të duhet durim, vazhdimësi dhe përkushtim për të mundur këtë virus”, tha Biden.
Biden, i cili mori dozën e parë të vaksinës ndaj Covid-19 në një transmetim të drejtëpërdrejtë, tha se ka besim të plotë te kjo zgjidhje dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar pasi do të duhen muaj përpara se shumica e amerikanëve të imunizohen.
Ai nxit qytetarët të mbajnë maska dhe të praktikojnë distancimin shoqëror. Presidenti i zgjedhur njoftoi se do t’i kërkojë kongresit të miratojë një paketë të re me stimuj ekonomik në janar për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset.
78-vjeçari foli edhe për sulmet kibernetike të ditëve të kaluara që goditën institucionet amerikane, duke i përkufizuar si “një rrezik të madh për sigurinë kombëtare”. Biden akuzon Donald Trump, i cili vijon të mos pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale, se nuk i ka marrë seriozisht këto sulme, për të cilat është akuzuar shpesh Rusia. (A2 Televizion)