
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sfidojnë Rusinë. Presidenti Joe Biden mbështeti aspiratat e Ukrainës për t’u bërë një anëtar i NATO-s.
Këtë e konfirmoi Shtëpia e Bardhë, duke saktësuar se për aderimin ekziston një proces me kushte për t’u plotësuar. Së fundmi, Biden zhvilloi dhe një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, të cilit i konfirmoi mbështetjen për ruajtjen e sovranitetit.
“Agresioni është nga ana e Rusisë. Grumbullimi i ushtrisë është në anën e Rusisë. Por ka një rrugë diplomatike për të ecur përpara. Synimi i presidentit, në takimin me Putin, ishte që ta bënte të qartë këtë”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Ndërkohë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO konsiderohet një vijë e kuqe e madhe nga Kremlini. Presidenti rus, Vladimir Putin, u rikthye të komentonte sërish tensionet mes të dyja vendeve, teksa foli dhe për gjenocid.
“Çfarë po ndodh tani në Donbas, e shohim mjaft mirë dhe e dimë që i ngjan një gjenocidi. Ne duhet të veprojmë me shumë kujdes, për të mos i zhvlerësuar këto përkufizime, por ato duhet të pasqyrojnë realitetin e ngjarjeve në vazhdim”, tha Putin.
Mes tjerash, Shtëpia e Bardhë përgënjeshtroi raportimet se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Ukrainës që t’i japë territor Rusisë. Nga ana tjetër, në terren, palët janë në gatishmëri të lartë. Zhvillimet e fundit kanë bërë që militantët separatistë rusë të humbasin shpresat që konflikti të përfundojë me paqe. (A2 Televizion)