Samiti virtual, Biden kërkon kampionë: Të mbrojmë vlerat që na bashkojnë

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2021, 16:35 | Bota
Samiti virtual, Biden kërkon kampionë: Të mbrojmë vlerat

Organizatori përshëndeti pjesëmarrësit në samitin virtual për Demokracinë. “Democracy needs champions”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në fjalën hapëse tha se kjo është një pikë kthese historike. Përfaqësuesve të mbi 100 shteteve të botës, përfshirë Shqipërisë, iu kërkoi të ngrihen për demokracinë globale.

“Si një komunitet global për demokracinë, ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë. Duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për fjalën e lirë, grumbullimin e lirë, për lirinë e shtypit dhe të besimit fetar dhe për të drejtat e natyrshme të njeriut për çdo individ”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Biden pranoi se demokracia është e vështirë, por ajo funksionon më mirë me konsensus dhe bashkëpunim. Kryeministri Edi Rama përfaqësoi Shqipërinë në këtë samit dhe në fjalën e tij, konfirmoi angazhimin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Në rrugëtimin tonë, miqësia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jetike për të çuar përpara aspiratat demokratike, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona. Katër vjet më parë, qeveria shqiptare nisi një prej reformave më të thella e gjithëpërfshirëse nga të gjitha vendet ish-komuniste, reformën në sistemin e drejtësisë. Ne jemi plotësisht të angazhuar për vazhdimin me sukses të kësaj reforme, në mënyrë që një sistem i ri drejtësie, i paanshëm dhe i pavarur nga pushteti ekzekutiv e legjislativ, të bëhet plotësisht funksional e të jetë në shërbim të njerëzve”, tha kryeministri Rama.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e organizon këtë samit si pjesë e planeve të tij për të promovuar demokracinë përreth botës dhe kundër shtimit të autokracive. Fokusi do të jetë në luftimin e korrupsionit dhe promovimi i të drejtave të njeriut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos